Presidentja e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të njoftimit dhe firmosjes së Kartës së Bordit të Paqes, e zhvilluar në Davos, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.

Momenti i firmosjes u shënua si një hap i rëndësishëm në angazhimin e Kosovës në nisma ndërkombëtare që synojnë forcimin e paqes, stabilitetit dhe rendit global të bazuar në rregulla. Me këtë akt, Kosova konfirmon rolin e saj aktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike.

Ceremonia u zhvillua në kuadër të shpalljes zyrtare të Bordit të Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar që synon të kontribuojë në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe forcimin e qeverisjes së ligjshme në vende dhe rajone të prekura nga krizat.

Nga Shtëpia e Bardhë u theksua se pjesëmarrja e vendeve partnere, përfshirë Kosovën, është dëshmi e besimit në aleatët që ndajnë të njëjtat vlera mbi paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Firmosja e Kartës nga Presidentja e Kosovës u vlerësua si moment domethënës për pozicionimin ndërkombëtar të vendit dhe për rritjen e vizibilitetit diplomatik të Kosovës në skenën globale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu