Valentino Garavani, një nga ikonat absolute të modës botërore, u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme në haute couture. Për dekada me radhë ai krijoi fustane ëndrrash për mbretëresha, yje hollivudianë dhe gra që kërkonin elegancën absolute. Por përtej pasarelave, luksit dhe famës globale, qendra emocionale e jetës së tij ishte diku tjetër: tek qentë e tij Carlini.

Stilisti nuk e ka fshehur kurrë këtë lidhje të veçantë. Në dokumentarin e famshëm Valentino: The Last Emperor (2009), ai shprehej hapur: “Nuk më intereson koleksioni. Qentë e mi janë më të rëndësishëm”. Një deklaratë që nuk ishte aspak e ndërtuar për kamerat, por një e vërtetë e përsëritur shpesh gjatë jetës së tij. Për Valentino Garavani-n, Carlini nuk ishin kafshë shtëpiake, por familje, shoqëri e përditshme dhe një prani e pandashme në jetën private dhe profesionale.

Gjatë viteve, pranë stilistit janë parë gjashtë Carlini, të gjithë me emra që nisnin me shkronjën “M”: Molly, Milton, Monty, Margot, Maude dhe Maggie. Një detaj i vogël, por shumë domethënës, që u kthye pothuajse në një “firmë” paralele me stilin e tij. Ai vetë ka pranuar se, megjithëse kishte pasur qen të racave të ndryshme, që nga momenti kur njohu Carlino-n, për të nuk ekzistonte më asnjë tjetër.

Carlini e shoqëronin kudo Valentino-n: në shtëpi, në atelier, në avionë privatë, në jahte dhe gjatë udhëtimeve të shumta mes Romës, Parisit, Nju Jorkut apo Monte Carlos. Ata ishin të pranishëm edhe në momentet më delikate të procesit krijues. Regjisori Matt Tyrnauer ka treguar se gjatë xhirimeve të dokumentarit, teksa po punohej për një fustan me vlerë mbi 100 mijë dollarë, një Carlino doli qetësisht nga poshtë tavolinës së punës, pa prishur aspak atmosferën – një skenë që përmbledh më së miri raportin e stilistit me qentë e tij.

Edhe modelet që kanë punuar me Valentino-n kanë rrëfyer shpesh për këtë ambient të pazakontë, ku Carlini lëviznin lirshëm mes manekinëve dhe copave të shtrenjta, duke qenë pjesë natyrale e përditshmërisë në atelier. Për Valentino-n, prania e tyre ishte qetësi, jo pengesë.

Dashuria për Carlini u reflektua edhe në markë. Në vitin 1986, stilisti lançoi linjën e re “Oliver”, të dedikuar Carlino-s së tij të preferuar, duke e bërë qenin pjesë të identitetit tregtar të shtëpisë së modës – një zgjedhje e rrallë për një couturier të atij niveli. Ishte një gjest simbolik, por shumë domethënës, që tregonte se kjo lidhje shkonte përtej emocioneve personale.

Në intervista, Valentino ka folur edhe për zgjedhjet e tij të jetës me një sinqeritet të rrallë. Ai ka pranuar se do të kishte dashur të kishte fëmijë, por ankthi i madh që ndiente edhe për qentë e tij e bindi se nuk do të kishte qenë një prind i qetë. “Kur udhëtoj, dërgoj veterinerin dy herë në javë dhe telefonoj vazhdimisht për të pyetur si janë. Do të kisha qenë një baba i palumtur”, shprehej ai.

Edhe pse Carlini e Valentino Garavani-t jetonin të rrethuar nga luks – me kollare të personalizuara, varëse me emrat e tyre, staf të dedikuar dhe transport privat – privilegji i tyre më i madh ishte një tjetër: të ishin gjithmonë pranë tij. Sipas miqve të afërt, stilisti i adhuronte në çdo detaj, që nga gërhitja e tyre e famshme deri tek zhurmat karakteristike që bënin.

Sot, me ndarjen nga jeta të Valentino Garavani-t, kjo histori dashurie mbetet një nga anët më njerëzore dhe prekëse të një ikone të modës. Një kujtesë se pas luksit, famës dhe perfeksionit estetik, qëndronte një njeri i ndjeshëm, për të cilin besnikëria dhe prania e Carlini-ve të tij vlejti gjithmonë më shumë se çdo pasarelë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu