Ndërprerja e energjisë elektrike në disa zona të Tiranës ka shkaktuar reagime të forta politike dhe shqetësim publik, veçanërisht pas raportimeve për mungesë të përkohshme të energjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, e cilësoi situatën shokuese dhe të papranueshme, duke theksuar se QSUT është spitali qendror i vendit, ku kryhen ndërhyrjet më të vështira mjekësore dhe funksionojnë pavione të tëra reanimacioni.

“Nuk ka fare rëndësi arsyeja pse nuk ka drita. Në një spital si QSUT, dritat thjesht nuk mund të mungojnë. Është fatale,” – u shpreh Lapaj.

Ai shtroi gjithashtu pyetje mbi prioritetet e shpenzimeve publike, duke vënë në kontrast mungesën e sigurisë energjetike në spital me fondet e mëdha të dhëna për koncesione shëndetësore.

“8 milionë euro në vit për Check-up-in dhe 100 milionë euro për sterilizimin. Si ka mundësi që ka miliona euro për koncesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit?” – tha Lapaj.

 

Reagimi i QSUT

Pas reagimeve, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” doli me një njoftim zyrtar për qytetarët, ku sqaron se ndërprerja e energjisë ka qenë e përkohshme dhe e shkaktuar nga një defekt në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2.

Sipas QSUT, sistemet rezervë janë aktivizuar menjëherë, duke garantuar funksionimin normal të aparaturave jetike dhe vijimësinë e trajtimit mjekësor. “Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht dhe në asnjë moment nuk është cenuar jeta e pacientëve,” – thuhet në njoftim.

QSUT bën me dije se ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë menjëherë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo mbështetje të nevojshme për garantimin e shërbimit shëndetësor.

Institucioni thekson se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm, ndërsa është ngritur edhe një grup pune për verifikimin e plotë të rrethanave të ndërprerjes së energjisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu