Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën zyrtare të marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, përmes së cilës Shqipëria ftohet të marrë pjesë si Shtet Anëtar Themelues në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, një strukturë e re ndërkombëtare e lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Gaza dhe Lindjen e Mesme.

Letra mban datën 16 janar 2026 dhe është dërguar nga Shtëpia e Bardhë, ku Trump i drejtohet Ramës si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, duke e ftuar të bashkohet në një përpjekje që ai e cilëson si “historike dhe madhështore” për forcimin e paqes globale.

Sipas përmbajtjes së letrës, Trump i referohet Planit Gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në Gaza, të shpallur më 29 shtator 2025, një plan me 20 pika që, sipas tij, është mbështetur nga liderë botërorë në Botën Arabe, Izrael dhe Europë, si dhe nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar më 17 nëntor.

Në qendër të këtij plani, thuhet në letër, qëndron “Bordi i Paqes”, i cili parashikohet të krijohet si Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore, me synim ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë, të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues”, thuhet në letrën e Trump, duke shtuar se statuti i Bordit dhe plani përkatës janë tashmë të hapura për nënshkrim dhe ratifikim.

Kryeministri Rama, përmes një mesazhi shoqërues, shprehet se ndan me qytetarët letrën e marrë nga Presidenti amerikan, duke e cilësuar atë si një privilegj besimi, ndërsa thekson se do të bëjë gjithçka për të lartësuar emrin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu