
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë Rama gjatë turit të Foltoreve në Laprakë, duke e akuzuar kryeministrin për korrupsion masiv, kapje të shtetit dhe shndërrimin e Shqipërisë në narkoshtet.
Berisha deklaroi se gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, djersa dhe mundi i shqiptarëve janë grabitur dhe kthyer në vila, hotele dhe pasuri marramendëse nga zyrtarë të lartë, duke theksuar se as diktatura nuk ka vjedhur në këto përmasa.
Ai foli për shpopullimin masiv, duke deklaruar se mbi 1 milion shqiptarë janë larguar drejt zonës Shengen, ndërsa paga dhe pensionet kanë rënë në fund të rajonit, në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm nga, siç tha ai, paratë e drogës.
Kreu i PD theksoi se opozita i mbijetoi presioneve, izolimit dhe përpjekjeve për asgjësim politik, duke e krahasuar ringritjen e Partisë Demokratike me Feniksin që ringjallet nga hiri.
Berisha deklaroi se sot PD është forca më e mbështetur ndërkombëtarisht, duke përmendur rezoluta të miratuara nga e djathta europiane, që sipas tij, damkosin regjimin e Ramës si autokratik dhe narkoshtet.
Në përmbyllje, Berisha u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim dhe përballje në sheshet e Tiranës, duke deklaruar se askush nga jashtë nuk do t’i zgjidhë problemet e Shqipërisë dhe se fitorja e Partisë Demokratike po afron.






