Paqja e mbrëmjes së të premtes mes protestuesve dhe policisë zgjati vetëm pak orë. Në ditën e pestë të protestave, Tirana është përfshirë sërish nga përplasje të dhunshme. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbuluar nga tymi, flakët dhe gazi lotsjellës, ndërsa një makinë me targa franceze është djegur pranë Kryeministrisë. Nga përplasjet janë lënduar protestues dhe efektivë policie, me 15 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore deri në orën 17:00.

Protesta e së shtunës, 17 tetor, nisi rreth orës 11:00 përpara Ministrisë së Arsimit, fillimisht në një atmosferë të qetë. Ashtu si një mbrëmje më parë, pati edhe momente afrimi mes protestuesve dhe policisë, me shtrëngime duarsh dhe mesazhe paqeje.

Por situata ndryshoi pas rreth një ore, kur një grup protestuesish të maskuar shkulën kangjellat dhe pllakat e trotuarit, duke i përdorur si pengesa dhe mjete për të goditur efektivët.

Në drejtim të policisë dhe godinës së Ministrisë së Arsimit u hodhën gurë, fishekzjarrë dhe bomba molotov. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa përplasjet vijuan për disa orë në Rrugën e Durrësit.

Rreth orës 15:00, protestuesit u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku tensionet u përshkallëzuan edhe më tej.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në një skenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Gurët dhe mjetet piroteknike u hodhën në drejtim të kordonëve policorë, ndërsa tre autobotë përdorën ujë me presion për shpërndarjen e turmës.

Një nga episodet më të rënda u regjistrua pranë Piramidës, ku një automjet me targa franceze mbeti i bllokuar në mes të protestës.

Fillimisht, disa protestues vendosën mbi të një flamur kombëtar, por më pas automjeti u tërhoq në mes të bulevardit dhe iu vu flaka. Pamjet me dron tregojnë makinën të përfshirë plotësisht nga zjarri, ndërsa tymi i zi mbuloi zonën.

Nga hedhja e bombave molotov mori flakë edhe një prej autobotëve të ujit të policisë. Efektivët krijuan formacione mbrojtëse me mburoja për t’u mbrojtur nga gurët dhe mjetet ndezëse.

Përplasjet u shoqëruan edhe me incidente të tjera. Një grup protestuesish i vuri flakën kabinës së rojës pranë Ambasadës së Vatikanit, ndërsa u raportuan sulme me gurë dhe molotovë edhe ndaj godinës së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Gjatë protestës, kamerat filmuan një efektiv që përdorte një armë për fishekë gome. Policia e Shtetit deklaroi më pas se përdorimi kishte qenë i kufizuar dhe në përputhje me ligjin.

Ndërkohë, një protestues u lëndua pranë syrit nga një bombol gazi lotsjellës, ndërsa disa punonjës policie u dëmtuan nga goditjet me sende të forta.

Sipas të dhënave të raportuara deri në orën 17:00, 15 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore: nëntë protestues, pesë efektivë policie dhe një kalimtar. Pesë prej tyre kishin marrë mjekim dhe ishin larguar nga spitali, ndërsa gjendja e të lënduarve raportohej e stabilizuar.

Rikthimi i dhunës vjen vetëm një ditë pas skenave të pazakonta të paqes, kur protestuesit u dhanë ujë policëve, shtrënguan duart me ta dhe kënduan himnin kombëtar.

Kontrasti mes dy ditëve tregon se tensionet mbeten të larta dhe se momentet e afrimit mes protestuesve dhe policisë nuk kanë mjaftuar për të shmangur përshkallëzimin.

Protestat, që nisën më 13 tetor, kanë përfshirë edhe qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa krahas kërkesave për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe arsimore, një pjesë e pjesëmarrësve kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu