
Julio Iglesias ka reaguar publikisht duke mohuar akuzat e rënda për abuzim seksual të ngritura ndaj tij nga dy ish-punonjëse, të cilat pretendojnë se ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2021 gjatë kohës që punonin në rezidencat e këngëtarit në Republikën Domenikane dhe Bahamas.
Në një deklaratë të publikuar për mediat, Iglesias thekson se nuk ka abuzuar, detyruar apo shfaqur mungesë respekti ndaj asnjë gruaje, duke i cilësuar akuzat si “plotësisht të rreme”. Ai shprehet i tronditur nga situata, por i vendosur për të mbrojtur reputacionin dhe dinjitetin e tij.
“Me trishtim të thellë u përgjigjem akuzave të bëra nga dy persona që kanë punuar më parë në shtëpinë time. Mohoj kategorikisht çdo formë abuzimi apo detyrimi. Këto akuza më kanë shkaktuar dhimbje të madhe, por jam i gatshëm që e vërteta të dalë në dritë dhe të mbroj dinjitetin tim”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas padive të depozituara, dy gratë – një sanitare dhe një fizioterapiste – pretendojnë se janë trajtuar në mënyrë të papërshtatshme dhe kanë përshkruar ambientin e punës si presionues dhe të kontrolluar. Njëra prej tyre, e identifikuar me pseudonimin “Rebeca”, ndërsa tjetra “Laura”, kanë bërë pretendime për sjellje të papërshtatshme gjatë kohës së punës.
Hetimet kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e rekrutimit të stafit, ku sipas denoncimeve, përmes rrjeteve sociale kërkoheshin vajza të reja, të cilat më pas përballeshin me pyetje personale dhe situata të papërshtatshme.
Rasti ka shkaktuar reagime dhe debat të gjerë publik në Spanjë, ndërsa procesi ligjor vijon dhe pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim.






