
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Durrës, ku si pasojë ka humbur jetën një vajzë 18-vjeçare dhe janë plagosur tre persona të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15, të datës 15 janar 2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4 të qytetit. Sipas informacioneve paraprake, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja në automjet, shtetasja V. G., 18 vjeçe. Gjithashtu janë dëmtuar drejtuesi i mjetit, A. Xh., si edhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.






