
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kujtuar masakrën e Reçakut përmes një reagimi në rrjetet sociale, në 27-vjetorin e një prej krimeve më të rënda të kryera nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë.
Balla shkruan se 45 civilë shqiptarë u masakruan brutalisht në fshatin Reçak, duke theksuar se drejtësia për këtë krim dhe për masakrat e tjera ende mungon. Ai shprehet se, ndërsa komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë për akuza që i cilëson të pabazuara, ekzekutorët dhe urdhëruesit e masakrës vazhdojnë t’i shmangen ndëshkimit.
Në reagimin e tij, Balla nënvizon gjithashtu se dëshmitarët e masakrës së Reçakut dhe të krimeve të tjera po ndahen nga jeta pa parë drejtësinë të vihet në vend, duke e bërë edhe më të domosdoshme kujtesën kolektive dhe kërkesën për llogaridhënie.
“Kurrë mos harro Reçakun”, shkruan Balla, duke e cilësuar këtë masakër si simbol të dhimbjes dhe sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.
Masakra e Reçakut mbetet një nga ngjarjet që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe shërbeu si pikë kthese për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.






