
Një nga grabitqarët më misteriozë të Evropës, macja e egër evropiane (Felis silvestris), e njohur ndryshe si “fantazma e pyjeve”, po rikthehet gradualisht në habitatet natyrore ku prej dekadash mendohej e zhdukur. Falë kamerave të fshehta dhe metodave moderne të monitorimit, shkencëtarë dhe fotografë kanë arritur të dokumentojnë pamje të rralla të kësaj specieje tejet të vështirë për t’u vëzhguar.
Në Malet Doupov në Republikën Çeke, fotografi i jetës së egër Vladimír Čech Jr arriti në vitin 2020 të kapte imazhe me cilësi të lartë të maces së egër, në një zonë ushtarake të izoluar. Për dekada të tëra, kjo specie konsiderohej e zhdukur në Çeki, pasi individi i fundit i konfirmuar ishte vrarë në vitin 1952.
“Macja e egër është një krijesë e rrallë që jeton një jetë plot mistere,” shprehet Čech, duke e përshkruar si një grabitqar perfekt, të kamufluar në mënyrë të shkëlqyer në mjedisin e tij natyror.
Sipas ekspertëve, në Evropë mendohet se jetojnë rreth 140 mijë mace të egra, të shpërndara në mbi 20 shtete, por numri i saktë mbetet i vështirë për t’u përcaktuar për shkak të sjelljes jashtëzakonisht të fshehtë të kësaj specieje. Në disa vende si Austria dhe Italia, prania e saj është konfirmuar vetëm vitet e fundit përmes kamerave-kurth dhe analizave gjenetike të qimeve të mbledhura në terren.

Biologia italiane Andrea De Giovanni arriti të filmonte një mace të egër në vitin 2020 në fshatin e braktisur Chiapporato, në Apenine. Fillimisht, ajo nuk ishte e sigurt nëse bëhej fjalë për një mace shtëpie apo të egër, derisa shkencëtarët e konfirmuan identitetin e saj. “Macja e egër nuk ndjek shtigje të parashikueshme. Ajo shkon ku të dojë,” shpjegon De Giovanni.
Ekspertët theksojnë se braktisja e zonave malore nga njerëzit dhe forcimi i ligjeve të mbrojtjes së natyrës kanë krijuar kushte të favorshme për rikthimin e specieve të egra, si ujku dhe macja e egër. “Ndërsa njerëzit largohen nga malet, natyra po i rimerr ato,” theksojnë studiuesit.
Në Çeki, studiuesit kanë shkuar edhe më tej duke përdorur telemetri GPS, përmes vendosjes së qaforeve radio mbi individë të kapur dhe më pas të liruar. Të dhënat kanë treguar se territori i maces së egër është shumë më i madh nga sa mendohej më parë dhe se ajo nuk është vetëm specie pylli, por varet nga një mozaik peizazhesh që përfshin livadhe, kullota dhe hapësira të hapura.
Pavarësisht rreziqeve që vijnë nga ndërthurja me macet shtëpiake dhe përhapja e sëmundjeve, rikthimi i maces së egër shihet si një histori suksesi për ruajtjen e biodiversitetit.
“Pas disa dekadash, kjo krijesë e vogël dhe misterioze po rikthehet në pyjet tona,” përfundon Čech – një shenjë shprese për natyrën evropiane.






