Tiranë – Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu tregun e ish-Uzinës Dinamo, duke shkaktuar dëme të rënda materiale. Sipas autoriteteve, zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike aksidentale.

Në njoftimin e saj, Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur më 8 janar 2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, ku flakët përfshinë kapanonet e tregut, të njohur edhe si ish-tregu “Uzina Dinamo”. Si pasojë, janë shkatërruar mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale rreth 11 mijë metra katrorë.

“Nën drejtimin e Prokurorisë janë kryer veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Situata mbetet e rëndë për tregtarët, pasi të gjitha objektet e djegura ishin marrë me qira dhe nuk ishin të siguruara, për shkak se nuk plotësonin kushtet e sigurisë. Për këtë arsye, ata nuk përfitojnë dëmshpërblim, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar vlerësohet deri në 50 milionë euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu