
Një aksident i rëndë është shënuar gjatë natës në fshatin Dars, të njësisë administrative Klos, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, në vendin e njohur si ura e fshatit Dars.
Sipas Policisë, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e zonës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë nisur verifikimet dhe kërkimet.
Nga veprimet e shpejta hetimore është bërë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit. Bëhet fjalë për shtetasin A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet të Klosit. Policia dyshon se pas aksidentit, drejtuesi i mjetit nuk ka njoftuar autoritetet dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej në automjet.
Nga hetimet paraprake rezulton se në makinë ka qenë edhe një pasagjer tjetër, shtetasi J. K., 30 vjeç, po nga fshati Fullqet, për të cilin dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit pas aksidentit.
Gjatë veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e 24-vjeçarit A. L. Testi i alkoolit i kryer ndaj tij ka rezultuar pozitiv, duke konfirmuar se ai e drejtonte mjetin në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, në bashkëpunim me Policinë dhe shërbimet zjarrfikëse, vijojnë kërkimet intensive në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit të zhdukur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti vijojnë.






