Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare akademiku dhe ish-kryetari i Kuvendit t Kosovës, Nexhat Daci. Lajmi është konfirmuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, e cila njoftoi se Daci ndërroi jetë më 1 janar 2026.

Nexhat Daci ishte një nga figurat më të rëndësishme institucionale dhe akademike të Kosovës pas luftës. Ai shërbeu si kryetar i Kuvendit të Kosovës për dy mandate radhazi, në periudhat 2000–2004 dhe 2004–2006, ndërsa ishte deputet nga viti 2001 deri më 2011. Në vitin 2006, pas ndarjes nga jeta të presidentit historik Ibrahim Rugova, Daci ushtroi edhe detyrën e presidentit të Kosovës për rreth një muaj.

Reagime nga krerët e shtetit dhe politikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësoi kontributin e tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, arsimin e lartë dhe shkencën, duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të vendit.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi duke e cilësuar Nexhat Dacin si një emër me rëndësi të veçantë në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Ai kujtoi se Daci ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, si anëtar i Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një telegram ngushëllimi, theksoi se Daci “u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi”, duke e cilësuar atë si bashkëpunëtor të afërt të Presidentit Rugova dhe si figurë me integritet, dije dhe përgjegjësi shtetërore.

Figurë akademike dhe politike

Përveç karrierës politike, Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti dhe akademik. Ai ligjëroi për dekada në Universitetin e Prishtinës dhe ishte autor i dhjetëra punimeve shkencore. Daci drejtoi dy herë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke lënë gjurmë të thella edhe në jetën akademike.

Pas ndarjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë, duke vijuar angazhimin politik edhe në vitet pas shpalljes së pavarësisë.

Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit shënon humbjen e një prej figurave kyçe të periudhës së pasluftës dhe të konsolidimit institucional të Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu