Festimet e Vitit të Ri 2026 janë shoqëruar me pasoja tragjike në Gjermani, ku dy të rinj 18-vjeçarë humbën jetën dhe disa persona të tjerë pësuan lëndime të rënda, përfshirë humbje gjymtyrësh, si pasojë e shpërthimeve të fishekzjarreve.

Sipas policisë, dy viktimat ndërruan jetë pas plagëve të rënda në fytyrë të pësuara gjatë fishekzjarreve në qytetin Bielefeld, në landin e Nordrhein-Westfalen. Njëri prej tyre vdiq në vendngjarje në lagjen Baumheide, ndërsa tjetri u dërgua në spital pas plagosjes në lagjen Brake, por nuk arriti t’u mbijetojë lëndimeve. Për të dy rastet ka pasur dëshmitarë okularë dhe autoritetet njoftojnë se nuk ka persona të tjerë përgjegjës.

Në një incident tjetër të rëndë, një 14-vjeçar humbi krahun e majtë në Rendelich, pranë qytetit Rostock, pas shpërthimit të një fishekzjarri, njoftoi policia.

Situata ka qenë problematike edhe në qytete të tjera. Në Berlin, pesë persona u shtruan në spital deri në orën 22:30 për shkak të lëndimeve nga fishekzjarret, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, në Leipzig, një vajzë 16-vjeçare humbi gishtin e vogël dhe një pjesë të gishtit unazor, teksa tentoi të ndizte një fishekzjarr të bërë në shtëpi.

Në Gjermani, përdorimi i fishekzjarreve lejohet vetëm në natën e Vitit të Ri dhe Ditën e Vitit të Ri. Autoritetet theksojnë se lëndimet – ndonjëherë fatale – janë të shpeshta, veçanërisht nga fishekzjarret e paligjshme të prodhuara në shtëpi, të cilat mund të përmbajnë eksplozivë të fuqishëm dhe janë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Vetëm në natën e Vitit të Ri 2025, pesë persona humbën jetën në incidente të ngjashme. Sipas një analize të kompanisë së sigurimeve AOK, pranimet në spital për aksidente me fishekzjarre gjatë dhjetë viteve të fundit kanë qenë mesatarisht 530, 2.6 herë më shumë se në çdo ditë tjetër jave dhe 4.4 herë më shumë se në një fundjavë normale.

Çdo vit, mjekë, oficerë policie, ambientalistë dhe aktivistë për të drejtat e kafshëve bëjnë thirrje për ndalimin e shitjes së fishekzjarreve dhe materialeve piroteknike, duke theksuar rreziqet serioze për jetën dhe shëndetin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu