Mbi 13 mijë familje do të përfitojnë kompensimin financiar për pronat e tyre përmes Agjencia e Trajtimit të Pronave. Fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh do të kalojë në llogaritë bankare të pronarëve që prej ditës së sotme dhe në ditët në vijim.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi se ky proces nuk përfaqëson vetëm një pagesë financiare, por një akt të rëndësishëm drejtësie dhe respekti ndaj pronës dhe ligjit.

“Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Është diçka më tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin. Me këtë pagesë që do të marrin nga sot e në ditët në vijim, kompensimi për këto familje, sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së, quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër”, deklaroi ministri.

Lamallari nënvizoi se qeveria është e vendosur që procesi i kompensimit të pronarëve të përmbyllet sa më shpejt, duke kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave që të ecë me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit.

“Jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve, si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjta”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në muajin janar qeveria vendosi të zgjasë afatin për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave deri në dhjetor të vitit 2027, me synim përmbylljen përfundimtare të këtij procesi të gjatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu