
TIRANË – Nata e ndërrimit të viteve do t’i gjejë shqiptarët përpara ekranit me një programacion festiv të pasur, ku muzika, spektakli dhe kinemaja do të jenë në qendër të vëmendjes. Televizionet kombëtare kanë përgatitur oferta speciale për ta kthyer mbrëmjen e 31 dhjetorit dhe ditët e para të vitit të ri në një festë familjare.

Festë muzikore në Tv Klan
Tv Klan vjen me një programacion të posaçëm festiv, ku në qendër qëndron maratona muzikore “Këngët e Shekullit”. Spektakli do të shoqërojë shikuesit gjatë gjithë natës së Vitit të Ri, me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore, humor dhe surpriza të shumta.
Në skenë do të ngjiten artistë të njohur të muzikës shqiptare, duke krijuar një udhëtim nostalgjik dhe njëkohësisht argëtues për të gjitha moshat. Moderatorët dhe këngëtarët premtojnë një mbrëmje plot energji, ku kënga shqipe, tradita dhe emocionet do të bashkohen në një festë të madhe televizive.
Program i pasur edhe në ditët e para të vitit të ri
Festat në Tv Klan nuk ndalen me ndërrimin e viteve. Më 1 janar, shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin premierën ekskluzive të filmit “Njerëz dhe Fate 2”, një dramë njerëzore me aktorë të njohur të skenës shqiptare.
Ndërsa më 2 janar, në orën 22:30, do të transmetohet spektakli “Yjet në Kaninë”, një mbrëmje artistike me emra të mëdhenj të artit dhe muzikës shqiptare. Krahas tyre, Tv Klan do të ofrojë edhe një paketë të pasur filmash nga kinemaja botërore, Netflix, prodhime turke dhe Hollywood, që do të transmetohen gjatë ditëve 1–3 janar. Edhe programet më të dashura të ekranit, si “E Diela Shqiptare”, “Rudina” dhe “Stop”, do të vijojnë me edicione festive.

Spektakël LIVE në Vizion Plus
Nga ana tjetër, Vizion Plus do ta shënojë ndërrimin e viteve me spektaklin Albania’s Got Talent, i cili do të transmetojë LIVE gjysmëfinalen në mbrëmjen e 31 dhjetorit.
Shikuesit do të ndjekin performanca live, emocione të forta dhe surpriza nga juria, ndërsa vetëm dy konkurrentë do të sigurojnë një vend në finale. Spektakli, i cili ka thyer rekorde shikueshmërie edhe në rrjetet sociale, premton një tjetër natë magjike për publikun shqiptar.
Festë para ekranit për të gjithë familjen
Muzikë, spektakël, humor dhe filma premierë dhe emocione live – kështu do ta presin shqiptarët Vitin e Ri para ekranit. Televizionet kombëtare synojnë që edhe këtë fundvit ekrani të kthehet në pjesë të pandarë të festës familjare, duke ofruar alternativa për çdo shije dhe çdo moshë.
Shënim: Materiali në përditësim…






