Qeveria ka marrë vendimin në mbledhjen e fundit të këtij viti për skemën e rritjes së pensioneve duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Kështu në bazë të vendimit rritja për pensionet e plota urbane me të ardhura deri në 40 mijë lekë do të jetë 1800 lekë në muaj.

Nga kjo rritje përfitojnë disa kategori ku përmenden edhe minatorët që kanë punuar nëntokë, nënat me shumë fëmijë, punonjësit metalurgjisë apo ata të industrisë së naftës dhe gazit.

Do të përfitojnë një rritje prej 800 lekësh në muaj personat me pension të pjesshëm urban me të ardhura deri në 22 mijë lekë sipas kategorive përkatëse.

Një rritje prej 1 mijë lekësh do të kenë pensionet e fshatit me të ardhura deri në 18 mijë lekë në muaj.

600 lekë në muaj do të jetë rritja për personat me të ardhura deri në 30 mijë lekë në muaj për pensionet e invaliditetit ndërsa 700 lekë në muaj do të kenë rritje pensionet familjare ku futen edhe familjarët e pilotëve të rënë në krye të detyrës.

Efektet financiare të këtij vendimi llogariten në 9.8 miliardë lekë dhe do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Në mbledhjen e fundit është miratuar edhe dhënia e një shpërblimi prej 15 mijë lekësh për fundvit për familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si dhe ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Qeveria ka miratuar edhe dhënien e pensionit të posaçëm shtetëror për disa emra të njohur në fusha të ndryshme si në art, sport, etj.

Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu