
PRISHTINË – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut, të kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtime.
Sipas aktakuzës, të pandehurit – pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe – akuzohen se gjatë një operacioni të organizuar kanë vrarë 42 civilë shqiptarë. Prokuroria thekson se veprimet janë kryer në bashkëkryerje, nga pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë (Brigada e 243-të e Mekanizuar e Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”) si dhe nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP).
Hetimet kanë dokumentuar se forcat serbe rrethuan Reçakun nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e granatuan fshatin nga distanca me mjete ushtarake. Pas hyrjes në fshat, ata shkuan shtëpi më shtëpi, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i dëbuar këta të fundit, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan.
Prokuroria sqaron se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth – Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak – janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, në kuadër të dëbimit masiv dhe spastrimit etnik.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. Rasti i Reçakut mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë dhe një pikë referimi në dokumentimin ndërkombëtar të krimeve kundër civilëve




