Në juglindje të Gaziantepit, banorët ruajnë prej shekujsh një traditë unike: menengiç kahvesi, një pije e ngrohtë pa kafeinë, e përgatitur nga fruti i pjekur i pemës terebinth – shtufi- një lloj fëstëku i egër.  Edhe pse quhet “kafe”, menengiç nuk përmban kokrra kafeje dhe ka një shije arrore, pak të hidhur, ndërsa njihet gjerësisht si ilaç popullor gjatë dimrit.

Image

Pija shërbehet prej dekadash në Tahmis Kahvesi, një nga kafenetë më të vjetra në botë, e themeluar në vitin 1635. Aty, krahas kafesë tradicionale turke, menengiç është specialiteti që simbolizon identitetin kulinar të qytetit. Në vitin 2024, kjo pije mori statusin e Indikacionit Gjeografik të Bashkimit Europian, duke e konfirmuar rëndësinë e saj kulturore dhe gastronomike.

Sipas banorëve vendas, menengiç përdoret veçanërisht kur dikush është i sëmurë. “Nëse kishim kollë apo të ftohtë, familja na jepte menjëherë një filxhan menengiç,” tregojnë njohësit e traditës.

Edhe pse studimet shkencore janë ende të kufizuara, kërkimet paraprake tregojnë se fruti i shtufit është i pasur me proteina, minerale dhe ka veti antioksiduese e anti-inflamatore.

Origjina e menengiç shkon shumë më thellë në histori. Në zonën e Göbekli Tepes, një nga vendbanimet më të hershme njerëzore, arkeologët kanë gjetur mbetje fëstëkësh të egër që datojnë rreth 12 mijë vjet më parë. Kjo ka nxitur hipotezën se popullsitë neolitike mund të kenë përdorur fruta të ngjashme për pije apo pasta ushqimore – një praktikë që vazhdon edhe sot në pazaret e Gaziantepit.

Image

Sot, menengiç gjendet kudo në qytet: në pazare tradicionale, kafene moderne dhe shtëpi familjare. Për banorët e Gaziantepit, kjo pije nuk është thjesht një alternativë e kafesë, por pjesë e identitetit të tyre kulturor. “Është e pamundur të imagjinosh jetën pa menengiç,” thonë vendasit. “Është ajo që na përfaqëson.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu