
Ish-kandidatja për postin e Avokatit të Popullit, Adriana Kalaja, ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykata Kushtetuese për të kundërshtuar procedurën e zgjedhjes së kreut të Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kalaja bën me dije se më 29 dhjetor 2025 do të depozitojë zyrtarisht kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar konstatimin e antikushtetutshmërisë dhe pavlefshmërisë së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, të kryer nga Kuvendi më 11 dhjetor 2025.
Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi, të cilin e cilëson si antikushtetues dhe antiligjor, deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese dhe botimin e tij në Fletoren Zyrtare.
“Ju bëj me dije se nesër, më datë 29.12.2025, depozitoj në Gjykatën Kushtetuese kërkesën time me objekt konstatimin e antikushtetutshmërisë dhe pavlefshmërisë së zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë, më datë 11 dhjetor 2025. Kam kërkuar gjithashtu pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi antikushtetues dhe antiligjor”, shkruan Kalaja.
Ajo njofton se më 29 dhjetor, në orën 10:00, do të mbajë edhe një deklaratë për mediat pranë Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të japë më shumë detaje mbi hapat ligjorë që po ndjek.







