Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur alarmin se në një pjesë të madhe të qendrave të votimit në Kosovë mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se kamerat regjistruese janë dërguar tashmë në Qendrat Komunale të Numërimit dhe do të vendosen në vendvotime, ndërsa çështja e furnizimit me energji elektrike mbetet shqetësim serioz. U theksua se në çdo qendër votimi do të ketë zyrtarë të KEDS të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, duke kërkuar gjithashtu nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri. Ai theksoi se KQZ ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Shqetësimi kryesor u ngrit nga anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi, i cili bëri të ditur se sipas një raporti, në rreth 888 qendra votimi mund të ketë mungesë të energjisë elektrike, prej të cilave 666 paraqesin rrezikshmëri të lartë, ndërsa 491 nuk kanë gjeneratorë. “Këto shifra janë shumë alarmante dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se të gjitha materialet jo të ndjeshme zgjedhore janë transportuar dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit. Ai shtoi se janë zhvilluar takime edhe me KOSTT, i cili ka paraqitur një plan veprimi për ditën e zgjedhjeve, ndërsa KEDS do të angazhojë rreth 1050 zyrtarë në terren.

Sipas KQZ-së, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,076,290, prej të cilëve 1,999,205 votojnë brenda vendit dhe 77,085 janë të regjistruar për votim jashtë Kosovës, një shifër më e lartë krahasuar me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu