Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar në muajin janar, duke theksuar se largimi i Edi Rama do të vijë vetëm përmes qëndresës qytetare dhe protestës së vazhdueshme.

Nga “foltorja” e mbajtur në Manëz, Berisha u bëri thirrje demokratëve që në janar të përcaktojnë një datë dhe të dalin në shesh çdo natë, deri në përmbysjen e asaj që ai e cilësoi si “diktaturë e dytë”.

“Ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë derisa ta përzëmë atë. Rruga nuk është dhuna, rruga është qëndresa. Sheshi është i yni dhe Rama ikën si mi, nuk mund të qëndrojë aty”, deklaroi Berisha, duke shtuar se viti 2026 duhet të jetë një vit “misionar” për opozitën.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi rolin e opozitës si përfaqësuese e vullnetit të zgjedhësve dhe qytetarëve të lirë, duke akuzuar qeverinë për përpjekje sistematike për ta zhdukur politikisht Partinë Demokratike. Ai u shpreh se, pavarësisht presioneve dhe ndëshkimeve, PD ka mbetur një nga forcat më të qëndrueshme politike në Europën ish-komuniste pas 35 vitesh pluralizëm.

Berisha u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke deklaruar se kjo garantohet vetëm kur drejtuesit më të lartë të shtetit nuk janë të korruptuar. Ai solli si shembull periudhën e qeverisjes së tij, duke theksuar se asnjë ministër nuk u mbrojt nga drejtësia dhe se imunitetet janë dorëzuar sa herë janë kërkuar nga prokuroria.

Në përfundim, kreu i PD-së u shpreh se mbështetja e vazhdueshme për Partinë Demokratike vjen nga fakti se, sipas tij, ajo ka mbrojtur idealet, ligjin dhe interesin e qytetarëve, duke garantuar se opozita do të vazhdojë betejën për largimin e qeverisë aktuale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu