
Avokati Maks Haxhia ka deklaruar se klienti i tij, biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, ndodhet aktualisht jashtë Shqipërisë duke lidhur një kontratë biznesi dhe do të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme sapo të kthehet në vend. Haxhia u shpreh se Agasi do të përballet me drejtësinë dhe se në dosjen hetimore nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me veprat penale për të cilat akuzohet.
Avokati i Agasit u paraqit këtë të martë në ambientet e SPAK për të tërhequr një dokument zyrtar për klientin e tij. Për mediat, ai sqaroi se biznesmeni është shpallur në kërkim për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”, por sipas tij, këto akuza nuk mbështeten në prova konkrete.
Sipas Haxhias, në dosjen e SPAK nuk ka asnjë element që vërteton lidhje të Ergys Agasit me tenderat e AKSHI apo me rrëmbimin e një personi, referuar biznesmenit Gerond Meçe. Ai shtoi se publikimi i të dhënave nga dosja hetimore e komprometon procesin dhe se, sipas tij, konkluzionet po nxirren nga politika dhe jo nga provat.
“Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet. Kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij për t’u përballur me drejtësinë. Nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me tendera apo që të ketë lidhje me personat e përmendur”, deklaroi avokati Maks Haxhia.






