
Ka nisur paraditen e sotme mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë, ku po shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Mbledhja, e planifikuar të fillonte në orën 10:30, po zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe po ndiqet me interes të lartë politik dhe institucional. Në sallë janë të pranishëm tre përfaqësues të SPAK, mes tyre kreu i ri i institucionit, Klodian Braho, si edhe prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Në mbledhje është paraqitur edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balluku është nën hetim për shkelje të dyshuara në disa procedura të mëdha tenderuese, përfshirë kontratën prej rreth 190 milionë eurosh për Tunelin e Llogarasë, si edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se zëvendëskryeministrja ka ndikuar në përcaktimin e fituesve edhe në tre tendera të tjerë.
Vendimmarrja e Këshillit të Mandateve pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm institucionalë lidhur me imunitetin e Ballukut, në një moment tensioni të lartë politik dhe përplasjeje mes mazhorancës, opozitës dhe drejtësisë.






