TIRANË – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pas seancës plenare të shoqëruar me tensione dhe kaos, duke bërë thirrje për përgjegjësi, respekt institucional dhe dialog politik.

Në reagimin e tij zyrtar, Peleshi thekson se Kuvendi nuk është thjesht një hapësirë debatesh politike, por institucioni themelor ku fjala dhe sjellja e deputetëve duhet të pasqyrojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’i shërbejnë mirëkuptimit, e jo përçarjes. Sipas tij, çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin e institucionit, cenon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve.

“Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos”, thekson Peleshi, duke nënvizuar se mbi çdo interes politik qëndron interesi i shtetit.

Kryetari i Kuvendit shton se asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe se ndarjet partiake nuk duhet të bëhen shkak për të harruar misionin e përbashkët të shërbimit ndaj qytetarëve. Ai thekson se institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët dhe nuk duhet të kthehen në arena për beteja personale apo partiake.

“Ruajtja, forcimi dhe respektimi i institucioneve është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë”, deklaron Peleshi.

Në përfundim të reagimit, Kryetari i Kuvendit shpreh mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe shërbimeve të Kuvendit, duke vlerësuar korrektesën dhe përgjegjësinë e treguar në kryerjen e detyrës gjatë situatave të tensionuara.

Reagimi i Peleshit vjen në një klimë të acaruar politike, ku seancat parlamentare janë shoqëruar me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi etikën parlamentare dhe respektin për institucionet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu