
TIRANË – Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur paraditen e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e shoqëruar nga policia dhe e transportuar me makinë policie, pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Karçanaj mbërriti në ambientet e gjykatës e shoqëruar nga avokati i saj, por refuzoi të japë çdo deklaratë për mediat. Edhe mbrojtësi ligjor i saj u mjaftua me një reagim të shkurtër, duke thënë se “nuk kemi asnjë koment në këto momente”.
Gazetarët e pyetën drejtoreshën e AKSHI-t lidhur me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, një nga episodet më të rënda të hetimit, por Karçanaj zgjodhi të “kyçë” gojën dhe të mos reagojë.
Në GJKKO, e shoqëruar gjithashtu nga policia, u paraqit edhe zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, ndaj së cilës po ashtu është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”. Edhe ajo nuk pranoi të flasë për mediat.
Kujtojmë se të martën, më 16 dhjetor, SPAK dhe BKH goditën një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e AKSHI-t përmes pengmarrjes, kërcënimeve dhe dhunës, duke ndikuar drejtpërdrejt në procedurat e prokurimit publik.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, GJKKO caktoi masa sigurimi për tetë persona, mes tyre edhe Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi, të cilat u lanë në arrest shtëpie.
SPAK akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një personazh i njohur për akuza të mëparshme për lidhje me krimin e organizuar, si dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Agasi dhe Beqiraj nuk u kapën gjatë operacionit policor dhe masat e arrestit me burg ndaj tyre mbeten ende të paekzekutuara.
Sipas SPAK, anëtarët e grupit të strukturuar kriminal kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar të heqin dorë nga ankimimet për procedurat e tenderimit. Kjo, sipas prokurorisë, ka hapur rrugën për shpalljen fituese të kompanive të paracaktuara, ndërsa një shqyrtim i plotë i ankesave mund të kishte ndryshuar renditjen e fituesve.
Hetimet vijojnë, ndërsa çështja e tenderave në AKSHI po konsiderohet një nga dosjet më të rënda që lidhen me korrupsionin dhe ndikimin e krimit të organizuar në prokurimet publike.






