
Nga Lea Veritas
Guru Duma foli publikisht për të “pastruar emrin”, duke mohuar çdo akuzë se ka negociuar me kryeministrin Edi Rama apo se qëndron pas lëvizjeve politike të Ervin Salianjit. Me një deklaratë të gjatë, me nerva Duma u shpreh se “as alla Edvin, as alla Ervin” nuk guxojnë t’i bëjnë pis emrin dhe reputacionin që, sipas saj, e ka ndërtuar ndër vite.
Por përtej distancimit politik, reagimi ka ndezur edhe aludime të forta në rrjetet sociale për një distancim personal nga Ervin Salianji, i cili prej kohësh konsiderohet partneri i saj. Fakti që Duma e përmend Salianjin jo si bashkudhëtar, por si “çështje minore”, duke e vendosur në të njëjtën fjali me “alla Edvin”, është lexuar nga shumëkush si sinjal se ndarja nuk është më vetëm politike.
Në deklaratën e saj, Duma thekson se nuk ka shtrirë dorën për “gjëra të pushtetshme”, se nuk ka lobuar, nuk ka bërë pazare dhe se askush nuk guxon t’i afrohet me oferta. Ajo sqaron se nuk bën viktimën në publik dhe se di ta ndajë “humanen nga politikania”, ndërsa në fund shpall veten “Big”, duke lënë të tjerët në kategorinë e “pazareve të vogla”.
Ndërkohë, PD-së i sugjeron të heqë dorë nga “foltoret 2.0, 3.1, 7.4” dhe të ripozicionohet me vetveten, një mesazh që duket po aq i prerë sa edhe distancimi i saj nga çdo emër që qarkullon në këtë histori.
Në politikë, fjalët peshohen. Në show-bizpolitikë, edhe heshtjet flasin. Dhe këtë herë, për shumë ndjekës, mes rreshtave u lexua jo vetëm një ndarje nga pazaret, por edhe një ndarje “alla Big” nga Ervin Salianji.
Në prag të shpërthimit të madh të gurudumizmit u shpreh edhe një ndër kritiket më të ashpra që i thotë troç gjërat, për të cilat shumë këtu kafshojnë gjuhën, Evi Kokalari. Ajo e akuzoi hapur Dumën se po përdor ekranin ku u strehua pas dështimit në politikën e madhe, si platformë politike personale.
Sipas Kokalarit, është e pamundur të mos vihet re se Duma ka hapësirë të plotë për të shtyrë një axhendë politike, duke e kthyer emisionin e saj në mjet influencimi dhe jo në gazetari profesionale.
Në këtë sfond, Grida Duma e lidhur fort me “klanin e Maliqit” (jo Ervini nuk është i vetmi maliqar që mban më këmbë guruja) vijon të këmbëngulë se “qëndron Big”, se nuk bën pazare dhe se askush nuk guxon t’i bëjë pis emrin.
Por stand up-komedia e fundit e saj vetëm sa i hodhi benzinë zjarrit, duke bërë që kritikat të shtohen, hapi pista të reja aludimesh për ndarjen me Salianjin dhe debati zhvendoset gjithnjë e më shumë nga politika te raporti media–pushtet–interesa personale, duke e kthyer këtë histori në një nga episodet më të zhurmshme të show-bizpolitikës shqiptare.






