
Erion Veliaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në ditëlindjen e tij, të cilën e ka kaluar në ambientet e paraburgimit në Durrës, duke e cilësuar këtë vit si “absurd”, por njëkohësisht domethënës për lidhjet njerëzore që ka zbuluar.
Në mesazhin e tij, Veliaj shprehet se është prekur nga letrat dhe urimet që ka marrë, duke theksuar se kjo ditëlindje ka qenë e pazakontë, por e mbushur me ndjesi mirënjohjeje.
“Më gëzuan pa masë letrat e urimet tuaja këtu në Durrës, në këtë ditëlindje të pazakontë”, shkruan ai.
Veliaj falënderon gjithashtu miqtë dhe të afërmit që, sipas tij, janë kujdesur për familjen gjatë këtyre muajve të vështirë.
“Ju falënderoj nga zemra që jeni kujdesur për nënën, bashkëshorten dhe djalin tim të vogël përgjatë këtyre 10 muajve”, thekson ai.
Në postimin e tij, Veliaj e përshkruan vitin që po kalon si një periudhë të vështirë, por që i ka shërbyer për të kuptuar se kush qëndron pranë tij në momentet më të errëta.
“Vit absurd ky, por zbulova miqtë e ditëve të vështira e që nuk do i harroj kurrë”, shkruan Veliaj, duke e mbyllur mesazhin me një falënderim dhe përqafim simbolik për mbështetësit e tij.
“Ju dua shumë e ju përqafoj me mall! Faleminderit nga zemra”, përfundon ai






