Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale. Megjithëse starti formal është 17 dhjetori, partitë politike kanë zhvilluar prej ditësh tubime mobilizuese dhe kanë nisur të shpalosin premtime financiare dhe programe qeverisëse.

Në prezantimet e para, partitë kanë premtuar rritje pagash, pensione më të larta dhe shpërndarje të qindra milionë eurove, duke e kthyer debatin elektoral në një garë premtimesh ekonomike.

Vetëvendosje: siguria prioritet dhe pako 200 milionë euro kundër inflacionit

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, tubimin e parë të madh e mbajti në Prizren, ku prezantoi kandidatët për deputetë. Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se siguria do të mbetet prioritet edhe në mandatin e ardhshëm.

LVV ka premtuar 200 milionë euro për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, që parashikon mbështetje financiare për pensionistët, fëmijët përfitues të shtesave, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rikthimin e subvencionimit të kursimit të energjisë. Ndër pesë vendimet e para të paralajmëruara janë edhe buxheti prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026, paga e 13-të për shërbyesit publikë dhe heqja e kufizimeve për punësimin e veteranëve të UÇK-së.

LDK: paga 1000 euro për mësimdhënësit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar 110 kandidatët për deputetë, me Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër. Ai ka premtuar paga 1000 euro për mësimdhënësit dhe 900 euro për policët, zjarrfikësit dhe ushtarët, duke deklaruar se koeficienti i pagave do të jetë 150 euro.

PDK dhe AAK: rritje pagash dhe pensionesh

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar nisjen e fushatës nga Prizreni, duke premtuar rritje pagash deri në 50%, rritje për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe pensionistët.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar pagë mesatare 1100 euro dhe pension 500 euro.

Angazhim i shtuar për votën e diasporës

Paraprakisht, subjektet politike kanë zhvilluar takime mobilizuese me mërgatën në qendra të ndryshme evropiane, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

AIP: kujdes me të dhënat personale gjatë fushatës

Me nisjen e fushatës, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje partive për respektim të plotë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke theksuar ndalimin e përdorimit të të dhënave të qytetarëve për marketing politik pa bazë ligjore dhe shmangien e profilizimit masiv të votuesve.

AIP ka paralajmëruar se do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e treta brenda vitit

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit janë të tretat që mbahen këtë vit, pas atyre parlamentare të 9 shkurtit dhe zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar deri më tani 283 vëzhgues.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu