Finalizohet operacioni policor i koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Si rezultat i operacionit, procedohen penalisht 2 subjekte juridike, bazuar në nenin 3 të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës.

Vihen në pranga 16 shtetas, nga të cilët 9 shtetas të huaj, me role drejtuese, teknike dhe punonjës, ndërsa shpallen në kërkim 8 shtetas, aksionerë të subjekteve tregtare.

Operacioni u zhvillua nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Të arrestuarit

Në pranga u vunë:

  • J. C., 64 vjeç, shtetas korean dhe E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan, administratorë;
  • B. A., 62 vjeç dhe E. B., 48 vjeç, të dy banues në Elbasan, drejtorë prodhimi;
  • E. B., 51 vjeç, banues në Elbasan dhe A. R., 31 vjeç, shtetas indian, inxhinierë/drejtues teknik;
  • R. P., 24 vjeç; S. P., 27 vjeç; D. K., 32 vjeç; R. Y., 38 vjeç; M. S., 43 vjeç; R. P., 24 vjeç, të gjithë shtetas indianë; P. K., 32 vjeç, shtetas nepalez; J. K., 63 vjeç dhe D. Xh., 45 vjeç, banues në Elbasan, me funksione përgjegjës turni/operator furre/punëtor;
  • I. D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në kërkim

U shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43 vjeç; D. K., 54 vjeç; F. M., 55 vjeç; Gj. B., 48 vjeç; A. Sh., 72 vjeç; S. O., 67 vjeç; I. L., 53 vjeç; A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Vijon puna për kapjen e tyre.

Shkelje mjedisore dhe masa administrative

Nga hetimet dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, rezultoi se dy subjekte tregtare që ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor dhe rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë përpunimin e mbetjeve të baterive.

Për shkeljet e konstatuara u vendosën masa administrative:

  • 3.000.000 lekë gjobë për një subjekt;
  • 10.000.000 lekë gjobë për subjektin tjetër; si dhe pezullimi i aktivitetit të të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.

Gjithashtu, u sekuestruan celularë dhe pajisje DVR.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu