
Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të premte. Roshi është parë të hyjë në Prokurorinë e Posaçme në shoqërinë e avokatit.
Ai është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Hetimi ndaj tij nisi mbi bazën e një kallëzimi të Këshillit të Lartë të Shtetit, i cili gjatë një auditimi të zhvilluar në vitet 2013-2014, periudhë kur Roshi ishte në krye të bashkisë, evidentoi një sërë parregullsish në sektorin e urbanistikës dhe në procedurat e prokurimit publik.
Sipas raportit të KLSH-së, parregullsitë kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh.
Elvis Roshi është paraqitur disa herë në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me këtë çështje, ndërsa më herët Gjykata e Durrësit ka pushuar një procedim penal ndaj tij për akuza të ngjashme.
Pas zgjedhjeve të 11 majit ish-kryebashkiakut iu sekuestrua edhe telefoni celular, si pjesë e një tjetër hetimi që SPAK po zhvillon ndaj tij, kësaj here në kuadër të dyshimeve për krime zgjedhore./ euronews






