
Vendosja e tendave nga Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij përballë Kryeministrisë nuk përbën një risi në skenën politike shqiptare. Ky model proteste është një skenar i njohur, i përdorur më herët nga dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në momente të forta përplasjeje politike.

Precedenti i parë daton në vitin 2010, kur Partia Socialiste, në opozitë dhe e drejtuar nga Edi Rama, ngriti tenda afatgjata në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, në kuadër të grevës së urisë së deputetëve socialistë pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2009.

Tendat u mbajtën për disa javë dhe u kthyen në një kamp permanent proteste politike nga ku i bëhej thirrje kryeministrit të kohës, Sali Berisha të zgjidhte krizën duke hapur kutitë e votimit ose të largohej.
“Sot Shqipëria është në udhëkryq, ku pushteti grabit votat, shkel liritë dhe të drejtat e njerëzve duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes“, deklaronte Rama më 1 maj 2010 si kryetar i opozitës.

Modeli u ripërsërit dhe u institucionalizua në vitin 2017, kur Partia Demokratike, nën drejtimin e Lulzim Bashës, ngriti të ashtuquajturën “Çadra e Lirisë”, e cila qëndroi për rreth 90 ditë përballë Kryeministrisë.

Ajo u shndërrua në një qendër të përditshme aktiviteti politik, me fjalime, deklarata, protesta dhe prezencë të vazhdueshme mediatike, deri në arritjen e marrëveshjes politike para zgjedhjeve parlamentare.

Në këtë kontekst, aksioni i Adriatik Lapajt shihet si ndarje nga forma tradicionale e protestës ditore, por jo si risi në metodë. Vendosja e tendave përballë Kryeministrisë është një mjet i përdorur më parë nga forcat kryesore politike për të rritur presionin publik dhe simbolik ndaj qeverisë së radhës.
Ndryshimi kryesor, sipas analistëve, qëndron jo te forma, por te përmasa dhe pesha politike e aktorëve që e ndërmarrin këtë aksion. Ndërsa në të kaluarën çadrat përfaqësonin dy forcat më të mëdha politike të vendit, sot kjo metodë po përdoret nga një aktor jashtë binomit tradicional PS–PD.




