
Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, e cila e akuzoi për presion politik ndaj Gjykatës Kushtetuese. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama hedh poshtë akuzat, duke theksuar se deklaratat e tij nuk përbëjnë presion, por shprehje opinionit publik dhe institucional.
Sipas Ramës, ka dy mundësi për qëndrimin e Shoqatës së Gjyqtarëve: ose nuk e kupton kuptimin e fjalës “presion”, ose e kupton, por zgjedh të ankohet vetëm ndaj tij, pasi – sipas kreut të qeverisë – ai prej vitesh nuk ka pasur përplasje me gjyqësorin, por ka mbështetur reformën në drejtësi.
“Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se prej më shumë se 10 vitesh ai nuk ka luftuar kundër gjyqtarëve, por, sipas tij, ka luftuar për ta, duke mbështetur Reformën në Drejtësi dhe duke përballuar në heshtje edhe vendime që i cilëson si të gabuara ose të dëmshme për të drejtat e qytetarëve dhe interesat e shtetit.
Rama shprehet i vendosur se nuk do të heshtë dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të ndarë opinionin e tij me publikun, sidomos në rastet kur, sipas tij, është vetë palë në një gjykim kushtetues dhe funksioni që ushtron rrezikon të cenohet.
“Gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve nëse pret që unë të mbyll gojën edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet”, shkruan Rama.
Kryeministri ndalet veçanërisht edhe te kërkesa e Shoqatës së Gjyqtarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate. Rama e cilëson këtë kërkesë si “skandaloze” dhe thekson se nuk do të qëndrojë më në heshtje, siç ndodhi herën e parë.
Sipas tij, Shoqata po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje prej 1600 eurosh mbi pagën aktuale për magjistratët dhe këshilltarët e tyre.
“Heshtja ime këtë herë nuk do të përsëritet, kur po tentohet të merret nga buxheti i shtetit një rritje e re prej plot 1600 eurosh, pa kaluar nga qeveria dhe parlamenti”, thekson Rama.
Në fund të reagimit, kryeministri nënvizon se qeveria dhe shumica parlamentare janë të hapura për komunikim institucional me Shoqatën e Gjyqtarëve, për të adresuar sfidat dhe nevojat e sistemit të drejtësisë. Rama thekson se pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme, por edhe nga, siç e quan ai, “papërgjegjshmëria e brendshme” që, sipas tij, dëmton besimin e qytetarëve tek drejtësia.






