Një konflikt banal për parakalimin e një automjeti ka përfunduar me plagosje të rëndë me armë zjarri në qytetin e Beratit. I lënduar ka mbetur shtetasi Fabjel Toska (i njohur si Xhindi), 37 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Beratit, në zonën e njohur si “Dogana”, në aksin nacional Kombinat–Dimal. Sipas të dhënave paraprake, konfliktit i ka paraprirë një situatë tensioni gjatë qarkullimit rrugor, ku dy automjete janë parakaluar disa herë me njëra-tjetrën.

Pas ndalimit të automjeteve, 37-vjeçari ka zbritur nga makina tip “Seat”, ku udhëtonte me një shok, dhe është drejtuar me vrap drejt një fuoristrade me ngjyrë të zezë, për t’u sqaruar me drejtuesin e saj. Në momentin kur shoferi ka hapur xhamin e automjetit, ai ka qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur Tosken në pjesën e barkut.

Nga pamjet filmike të sigurisë, rezulton se shoku i të plagosurit ka zbritur gjithashtu nga automjeti, por pasi ka parë se 37-vjeçari u qëllua dhe ra në tokë, është larguar me vrap për të njoftuar policinë.

Burime zyrtare bëjnë me dije se mes palëve nuk ka pasur njohje apo konflikte të mëparshme, fakt i konfirmuar edhe në deklarimet e dhëna në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

Fillimisht, Toska është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, për t’u transportuar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të përfshirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu