
Futbolli turk është tronditur sot nga një skandal i përmasave të jashtëzakonshme. Prokuroria e Stambollit ka lëshuar urdhër-arresti për 46 persona, në kuadër të një hetimi të gjerë për baste të paligjshme dhe dyshime për trukim ndeshjesh.
Në mesin e të arrestuarve ndodhen 29 futbollistë, mes tyre 27 të dyshuar se kanë vendosur baste për ndeshjet e ekipeve të tyre, duke ngritur dyshime të forta për manipulim rezultatesh.
Figura më e njohur e përfshirë është Mert Hakan Yandaş, kapiteni i Fenerbahçes, i cili këtë sezon nuk ka luajtur asnjë ndeshje dhe ishte pezulluar për 9 muaj. Po ashtu, është ndaluar edhe Metehan Baltacı, lojtar i Galatasarayt, duke e thelluar edhe më shumë goditjen që ka marrë futbolli turk.
Hetimi nuk përfshin vetëm lojtarë: gjashtë gjyqtarë janë dërguar në paraburgim më 10 nëntor, ndërsa presidenti i klubit Ejupspor po hetohet për ndikim të paligjshëm në rezultate.
Skandali nisi nga një ndeshje e sezonit 2023/24, ku dy skuadra të kategorive inferiore nuk regjistruan asnjë goditje drejt portës gjatë gjithë lojës – një fakt që ngjalli dyshime të menjëhershme. Më pas hetimet janë zgjeruar në nivele më të larta të futbollit turk, duke përfshirë ndeshje ku përmenden konkretisht Umranijespor dhe Giresunspor.
Autoritetet turke pritet të japin detaje të tjera, ndërsa skandali ka ndezur debat të madh publik dhe kërkesa për reforma të thella në administrimin e futbollit profesional.




