
Malajzia ka konfirmuar se më 30 dhjetor 2025 do të rinisin kërkimet për fluturimin MH370 të Malaysia Airlines, një prej mistereve më të mëdha në historinë e aviacionit botëror. Avioni, një Boeing 777, u zhduk më 8 mars 2014 teksa udhëtonte nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit me 239 persona në bord, duke hapur një hetim ndërkombëtar gjigant dhe një kërkim që zgjati me vite pa prodhuar rezultate përfundimtare.
Sipas Ministrisë malajziane të Transportit, operacioni i ri do të zgjasë 55 ditë dhe do të drejtohet nga kompania amerikane Ocean Infinity, e cila do të kërkojë zonat që konsiderohen me probabilitetin më të lartë për të gjetur mbetjet e avionit. Kërkimi do të zhvillohet sipas marrëveshjes “no find, no fee” – kompania do të shpërblehet me 70 milionë dollarë vetëm nëse gjen rrënojat.
Shpresa dhe dhimbje për familjarët
Për të afërmit e viktimave, rinisja e kërkimit sjell sërish shpresë. Danica Weeks, e cila humbi bashkëshortin australian Paul Weeks, tha se ndihet “jashtëzakonisht mirënjohëse dhe e lehtësuar” që Malajzia po rinis përpjekjet:
“Prej 11 vitesh presim përgjigje. Shpresa që kërkimi po rifillon na jep njëfarë ngushëllimi.”
Avioni u zhduk nga radarët më pak se një orë pas ngritjes. Hetimet treguan se MH370 kishte devijuar në mënyrë drastike nga kursi i tij, ndërsa radarët ushtarakë e kapën teksa kthehej drejt perëndimit, mbi Ngushticën e Malakës. Ajo çka ndodhi më pas mbetet mister.
Kërkimet e mëparshme – 120 mijë km² oqean dhe asnjë përgjigje
Që prej vitit 2014, qindra mjete, 26 vende dhe një investim kolosal u përfshinë në kërkime:
-
Kërkimi ndërkombëtar 2014–2017 me 60 anije dhe 50 mjete ajrore
-
Operacioni i Ocean Infinity në 2018, i cili përfundoi pas tre muajsh
-
Gjetja e disa fragmenteve të dyshuara në brigjet e Tanzanisë, Mozambikut dhe Madagaskarit
Por vendndodhja e trupit kryesor të avionit nuk është zbuluar kurrë.
Pista e manipulimit të komandave dhe teoritë që vijojnë
Raporti zyrtar i vitit 2018 tregoi se komandat e avionit janë manipuluar manualisht, duke e përjashtuar autopilotin. Raporti la të hapur mundësinë e “ndërhyrjes së palëve të treta”, por pa identifikuar përgjegjës.
Marrja peng, vetëvrasja e pilotit, defekt teknik, komplot… të gjitha janë hedhur si teori, por asnjë nuk është provuar.
Malajzia zotohen për përgjigje
Në njoftimin e saj, ministria malajziane e Transportit shprehet:
“Ky zhvillim nënvizon angazhimin e qeverisë së Malajzisë për t’u dhënë përgjigje familjeve dhe për të mbyllur një kapitull që ka rënduar mbi ta për më shumë se një dekadë.”
Rinisja e kërkimit rikthen një shpresë të zbehtë, por ende të gjallë: të zbulohet se çfarë ndodhi me MH370, një nga misteret më të errëta që ka tronditur ndonjëherë aviacionin modern.







