
Ish-Zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, së bashku me diplomatin italian Stefano Sannino dhe funksionarin Cesare Zegretti, janë liruar gjatë natës pasi u morën në pyetje nga policia federale e Flandrës Perëndimore, në kuadër të hetimit për një skandal të dyshuar me fondet e BE-së.
Sipas Prokurorisë Evropiane (EPPO), e cila drejton hetimin, tre të ndaluarit nuk janë konsideruar rrezik për t’u arratisur, ndaj janë lënë të lirë pas verifikimeve të para.
Akuzat: korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional
Hetimi lidhet me një dyshim për favorizim dhe konkurrencë të pandershme gjatë tenderimit të një programi 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj europianë, të menaxhuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (SEAE) dhe i zhvilluar në Kolegjin e Europës në Bruges.
Faktet e hetuara i përkasin viteve 2021–2022, periudhë kur Sannino shërbente si Sekretar i Përgjithshëm i SEAE, ndërsa Mogherini ishte rektore e kolegjjt. Prokuroria po heton një sërë veprash të mundshme penale, përfshirë:
Mashtrim në prokurime publike
Korrupsion
Konflikt interesi
Shkelje të sekretit profesional
Para operacionit policor, EPPO kishte kërkuar dhe kishte marrë heqjen e imunitetit për disa prej personave të dyshuar.
Reagimi
Institucioni ka konfirmuar se zyrat e tij në Bruges janë kontrolluar nga policia, duke deklaruar se:
“Do të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet në respekt të transparencës dhe procesit hetimor.”
Kolegji ka theksuar angazhimin për të garantuar vijimin normal të aktiviteteve akademike.
Moska e shfrytëzon skandalin
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka përdorur çështjen për sulme politike ndaj BE-së, duke deklaruar se “miliona euro përfundojnë në kanale korrupsioni të lidhura me Kievin”.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, komentoi shkurt:
“Të presim se çfarë do të vërtetohet. Deri në përfundimin e procedurës, një person është i pafajshëm.”
Hetimet pritet të vijojnë në ditët e ardhshme nën drejtimin e Prokurorisë Evropiane, e cila që prej vitit 2021 ka kompetencë të plotë për ndjekjen penale të krimeve që dëmtojnë interesat financiare të BE-së.







