Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar A. B. në rajonin e Prishtinës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ai dyshohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal, trafikim të paautorizuar të armëve dhe materieve plasëse, falsifikim të dokumenteve dhe vjedhje identiteti.

Sipas njoftimit zyrtar, A. B. dyshohet se si drejtues i grupit kriminal ka blerë armë dhe municione me qëllim transportimin dhe shitjen e tyre. Ai dyshohet gjithashtu se ka falsifikuar dokumente dhe ka përdorur identitet të huaj për mashtrim.

Arrestimi i tij u bë i mundur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes autoriteteve të Kosovës dhe policisë suedeze, pasi i dyshuari ishte shtetas i Suedisë dhe kërkohej ndërkombëtarisht nga shteti nordik. Pas koordinimit të vazhdueshëm, policia arriti të lokalizojë vendndodhjen e tij dhe ta arrestojë më 1 dhjetor 2025.

Gjatë kontrollit në shtëpinë ku qëndronte, policia konfiskoi 52,480 euro para të gatshme, një patentë shoferi suedeze të dyshuar si të falsifikuar në emër të një personi tjetër, një letërnjoftim suedez të dyshuar si i falsifikuar, tre telefona celularë, një orë Rolex ngjyrë të bardhë–ari, një hard disk SEAGATE, një pajisje DVR dhe një veturë.

Hetuesit rikujtojnë se në operacionin e parë policor të zhvilluar më 12 mars 2023, gjatë kontrollit në pronat e të njëjtit grup ishin sekuestruar 20 armë të tipit AK-47, 20 karikatorë, dy automjete, gjashtë telefona celularë dhe dokumente të tjera që lidhen me rastin.

I dyshuari me nënshtetësi suedeze është ndaluar për 48 orë dhe Prokuroria Speciale pritet të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës brenda afatit ligjor. Institucionet e drejtësisë në Kosovë theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe në bashkëpunimin me shtetet e tjera për goditjen e kriminalitetit ndërkufitar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu