
Mediat po raportojnë sot me nxitim dhe gati histeri një episod në Vlorë, ku disa qen endacakë janë filmuar duke sulmuar një të moshuar në Lungomare. Titujt janë fokusuar te “sulmi i qenve”, ndërsa komentuesit në rrjetet sociale janë hedhur me histeri kundër kafshëve dhe madje edhe kundër një turisteje që shihet duke i hequr shkopin burrit.
Kjo është interpretuar gabim, ndërkohë që kush njeh sadopak sjelljen e qenve e kupton shumë mirë se ajo po e mbronte të moshuarin dhe jo qentë.
Turistja po ulte rrezikun.
Qentë nuk reagojnë mirë ndaj shkopit, sepse shkopi për ta është sinjal kërcënimi.
Sa më shumë ngrihet shkopi, aq më shumë rritet agresiviteti i qenit, pasi ai e sheh si armik. Duke ia hequr shkopin burrit, turistja po reduktonte situatën e tensionuar dhe po e ulte mundësinë e një reagimi më të ashpër nga qentë.
Nga pamjet kuptohet edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm: qentë janë fokusuar vetëm te i moshuari dhe jo te dy personat e tjerë që u afruan për ta ndihmuar. Kjo sjellje tregon qartë se qentë kanë pasur një ndërveprim të mëparshëm me atë person. Qentë e rrugës nuk sulmojnë këdo, por shpesh reagojnë ndaj personave që i kanë trembur, goditur ose provokuar më parë. Kjo është sjellje tipike mbrojtëse dhe jo agresion i paarsyeshëm.
Në këtë situatë, mediat kanë përgjegjësi të madhe.
Raportimet e pakujdesshme dhe të ekzagjeruara ngjallin panik dhe urrejtje kolektive, të cilat më pas shndërrohen në pasoja të rënda, siç ndodhi kohët e fundit në Tiranë me helmimin masiv të qenve.
Gazetaria duhet të informojë, jo të shtyjë shoqërinë drejt frikës së verbër.
Ka një shprehje të vjetër që i mësohet çdo gazetari gjatë ditës së parë: “Lajm nuk është kur qeni ha njeriun, por kur njeriu ha qenin.”
Kjo shprehje ekziston pikërisht për të na kujtuar se sensacionalizmi i panevojshëm krijon më shumë dëm sesa dobi.
Problemi që po shohim në Vlorë nuk është “agresiviteti i qenve”, por mungesa e menaxhimit profesional të qenve endacakë. Bashkia ka detyrimin ligjor të sigurojë sterilizim, kastrim, monitorim dhe strehim të përkohshëm. Kur këto procese lihen pas dore, krijohen situata të tilla tensioni ku palët reagojnë në mënyra të paparashikueshme.
Festat kanë mbaruar. Dekorimet u hoqën. Tani është koha që bashkia të merret me detyrat që ndikojnë drejtpërdrejt te siguria e qytetarëve dhe mirëqenia e kafshëve. Menaxhimi i tufave të qenve duhet të jetë prioritet real, jo një çështje që kujtohet vetëm kur shpërndahen video të panikut në rrjet.







