
Dy persona që u mbyllën në një banesë në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, pasi kërcënuan me jetë efektivët e Policisë dhe qëlluan me armë ndaj forcave speciale, janë vetëdorëzuar pas 12 orësh në rrethim. Operacioni u mbyll pa viktima, falë negociatave me të afërmit e tyre.
Mëngjesin e datës 24 nëntor 2025, rreth orës 09:00, patrulla e Policisë së Pukës konstatoi një person të dyshimtë, i cili tentoi të largohej me shpejtësi dhe u fut në një banesë të braktisur. Thirrjet e Policisë për t’u dorëzuar u injoruan dhe individi kërcënoi efektivët.
Duke pasur informacione për rrezikshmërinë e tij, u kërkua ndërhyrja e forcave të specializuara. Me mbërritjen e Renea-s, nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri në drejtim të tyre, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.
Vetëdorëzimi dhe arrestimet
Pas një operacioni të zgjatur, thirrjesh të vazhdueshme dhe negociatave me familjarët, dy të dyshuarit u vetëdorëzuan. Njëri prej tyre, E. U., kishte një plagë tejshpuese në këmbë dhe u dërgua në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Të arrestuarit janë:
E. U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar më parë për “Nxitje të urrejtjes dhe grindjeve”.
J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Çfarë u gjet në banesë
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një arsenal të plotë armësh dhe materiale të rrezikshme:
4 armë automatike
1 pistoletë
17 granata dore difensive
Municion luftarak
Kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës
Flamur i Organizatës Terroriste ISIS, i vendosur në mur
Gëzhoja të qitura në vendngjarje
Akurat penale
Materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, për këto vepra penale:
“Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për akte terroriste”
“Prodhimi i armëve luftarake”
“Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”
“Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”
Operacioni “OROSHI” konsiderohet një ndër ndërhyrjet më të ndërlikuara të muajve të fundit në veri të vendit, për shkak të rrezikshmërisë së të dyshuarve dhe arsenalit të gjetur në banesë.
–



