
Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas dështimit për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, duke deklaruar se përgjegjësia bie edhe mbi partitë e tjera politike të vendit, të cilat – sipas tij – bojkotuan seancën e jashtëzakonshme të thirrur për këtë çështje.
Në një konferencë për mediat, Murati theksoi se të gjitha partitë kishin mundësi të votonin buxhetin në seancën që, siç u shpreh ai, ishte thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, por asgje nuk u bë, pasi shumica nuk morën pjesë.
“Mosvotimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në Kuvendin e Kosovës erdhi pasi partitë politike të tjera, përfshirë edhe LDK-në, nuk erdhën në seancën e ftuar nga ne. E bojkotuan. Aty ishte mundësia që të votohej si pikë e ndarë e rendit të ditës”, u shpreh Murati.
“Problemi u thellua edhe më shumë”
Sipas tij, vendimi për të mos votuar buxhetin e ka bërë situatën edhe më të pariparueshme, duke përmendur edhe rastet kur partitë refuzuan të merrnin pjesë në:
- seancën për votimin e buxhetit,
- takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës para shpërndarjes së Kuvendit,
- votimin e buxhetit për tri komuna,
- votimin për RTK-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Murati theksoi se këto sjellje politike vetëm kanë thelluar krizën dhe kanë lënë qytetin e Prishtinës pa buxhet e në vështirësi financiare.
Akuza të drejtpërdrejta ndaj LDK-së
Ministri akuzoi drejtpërdrejt Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kreun e saj Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se ata kanë zgjedhur ta kthejnë çështjen e buxhetit në një betejë politike, duke e bërë këtë “në kurriz të qytetarëve të Prishtinës”.
“LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku janë vendosur në një betejë politike në kurriz të qytetarëve të Prishtinës”, tha Murati.
Sipas ministrit, sabotimi i procesit ka goditur rëndë funksionimin normal të kryeqytetit dhe ka penguar miratimin e një dokumenti jetik për shërbimet publike.
Në Prishtinë, mosmiratimi i buxhetit ka sjellë pasoja të dukshme në financimin e ndërmarrjeve publike, pagesat e stafit të mirëmbajtjes dhe funksionimin e shërbimeve thelbësore. Situata mbetet e tensionuar dhe me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët.







