
Këtë të shtunë, 22 nëntor, Belinda Balluku u paraqit rreth orës 09:00, në ambientet e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK), ku do i komunikohej masa e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ajo ka dalë nga ambientet e GJKKO-së pas 40 minutash, ndërsa nuk ka dhënë asnjë koment për gazetarët.
Seanca është ndërprerë për 2 orë, pasi avokatët e Ballukut do të njihen me aktet hetimore.
“Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) do të zhvillojë një seancë për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masave dhe sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025. Seanca është caktuar për datën 22 nëntor 2025, ora 09:00”, u njoftua të premten, 21 nëntor.
Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Masa e “arrestit në shtëpi” u caktua për kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi, në sajë të hetimeve të kryera për tenderin e Unazës së Madhe, specifikisht lotin e katërt të saj. Këta të fundit mbërritën në ambientet e gjykatës, të shoqëruar nga forcat policore.
Në SPAK, është edhe Pamela Qirko, avokatja e Ballukut e njëkohësisht motra e saj.
Kujtojmë se gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos, kryeministri Edi Rama bëri me dije se “me këtë vendim arbitrar u cenua pavarësia e ekzekutivit”, megjithatë theksoi se për qeverinë “mbrojtja dhe mbështetja e pavarësisë së organeve të drejtësisë mbetet parakusht”.
Ashtu siç ai vetë e paralajmëroi, qeveria e ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion në Kushtetuese. Në kërkesën me katër pika kyçe, nënvizohet se vendimi i GJKKO-së ka krijuar një konflikt kompetencash…/klan







