Situata e rënduar meteorologjike që po përfshin vendin ka shkaktuar probleme serioze edhe në qarkun e Shkodrës. Si pasojë e reshjeve intensive, në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, është shkëputur një masiv inertesh, duke bllokuar qarkullimin.

Sipas informacioneve paraprake, pesë automjete kanë mbetur të bllokuara nën masën e rrëshqitur, ndërsa nëntë persona ndodhen aktualisht në zonë pa mundur të lëvizin.

Kryetari i Bashkisë Shkodër njoftoi përmes një postimi se makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës. Ndërkohë, një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt vendngjarjes për të kryer vlerësimin e plotë të situatës dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve të bllokuar.

Strukturat vendore dhe ato të emergjencave po punojnë me intensitet për normalizimin e qarkullimit dhe asistimin e banorëve të prekur nga kushtet e vështira atmosferike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu