
Partia Demokratike ka publikuar një deklaratë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzon kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për “manipulim dhe mashtrim publik” lidhur me ftesën për ta pyetur për çështjen e 21 janarit. Sipas Berishës, ftesa e pretenduar nga SPAK mban datën 3 nëntor, ditë kur ai ndodhej fizikisht në ambientet e institucionit.
Berisha e cilëson këtë si “një skenar të turpshëm të sajuar nga Altin Troplini”, me qëllim — siç thotë ai — zhvendosjen e vëmendjes nga “aferat korruptive të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, duke përmendur konkretisht tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës.
“Ftesa e parë, sipas Troplinit, mban datën 3 nëntor, pikërisht ditën që unë isha në zyrat e SKAP-it dhe para gazetarëve. Ata donin të hapnin studiot televizive me debatin ‘e ftuam – nuk e ftuam’, në vend që të flisnin për vjedhjet 90 milionë në Llogara dhe 130–140 milionë në aeroportin e Vlorës,” deklaron Berisha.
Ai shton se nga data 3 nëntor e deri më sot “asnjë person nuk ka ardhur ta njoftojë zyrtarisht”, duke theksuar se një njoftim ligjor duhet t’i dorëzohet drejtpërdrejt personit ose një përfaqësuesi zyrtar të tij.
Berisha sqaron se nuk ka marrë asnjë njoftim as në adresat elektronike dhe as në numrin e tij personal të telefonit:
“Kam dy adresa emaili, një personale dhe një të parlamentit që nuk e përdor. Por kam një numër telefoni që e njeh e gjithë bota. Marr qindra mesazhe çdo ditë, por asnjë njoftim nuk ka ardhur.”
Deklarata e tij mbyllet me thirrjen ndaj mbështetësve që të “qëndrojnë fort ndaj akteve të papërgjegjshme dhe të turpshme”.







