
Sipërmarrësi dhe kandidati shqiptar për zgjedhjet rajonale në Veneto 2025, Muharrem Salihu, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV, në Vatikan. Takimi u konfirmua fillimisht përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga vetë Salihu, i cili kandidon në listën e UDC (Unione di Centro) për zonën Venezia–Treviso.
Gjatë audiencës, Salihu i paraqiti Papës shqetësimet për gjendjen e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, prej rreth 200 mijë banorësh, ku – sipas tij – po zhvillohet një “spastrim etnik dixhital” përmes pasivizimit të adresave të banimit.
Ai theksoi se Serbia i justifikon këto veprime duke deklaruar se çështja do të zgjidhet vetëm me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën.
Kërkesa drejtuar Papës: Njohja e Republikës së Kosovës
Në takimin me Shenjtërinë e Tij, Salihu i bëri thirrje Selisë së Shenjtë që të njohë Republikën e Kosovës, duke deklaruar se një hap i tillë do t’i jepte fund “deportimit modern” që po u ndodh shqiptarëve në Serbi.
Ai bëri të ditur se i ka dorëzuar bashkëpunëtorëve të Papës një material të detajuar mbi këtë çështje.
Pritja në Vatikan dhe rëndësia simbolike
Salihu u shpreh i nderuar për pritjen e ngrohtë të Papës Leoni XIV, duke thënë se ky takim do të mbetet “një moment unik” në jetën e tij.
Takimi shihet si një ngjarje me peshë simbolike për marrëdhëniet mes komunitetit shqiptar në Itali dhe Selisë së Shenjtë, por edhe si një nxitje e imazhit të diasporës shqiptare në politikën italiane.







