
Europol ka goditur një nga rrjetet më të mëdha të krimit kibernetik në botë, duke arrestuar në Greqi një shtetas shqiptar, i identifikuar si Sotiraq Kolezi, 38 vjeç, nga Bilishti, i dyshuar si autor kyç pas programit të rrezikshëm VenomRAT.
Arrestimi u krye si pjesë e operacionit gjigant “Endgame”, në bashkëpunim me Policinë Greke dhe qendrat e koordinimit të Europolit në Hagë. Faza e fundit e operacionit, e zhvilluar nga 10 deri më 14 nëntor, shënjestroi një rrjet global që përdorte programe keqdashëse për të vjedhur të dhëna dhe akses në sisteme kompjuterike.
Operacioni çmontoi një rrjet ndërkombëtar të “malware”
Sipas njoftimit zyrtar, u goditën tre elementë kryesorë të këtij rrjeti kriminal:
Rhadamanthys – një nga programet më të mëdha të vjedhjes së informacionit;
Trojan-i VenomRAT – i cili lejonte akses të plotë në kompjuterët e viktimave;
Botneti Elysium – i përdorur gjerësisht në krime kibernetike globale.
Rrjeti ishte përgjegjës për sulme ndaj qindra mijëra viktimave në mbarë botën, duke vjedhur miliona të dhëna sensitive nga kompjuterë të komprometuar – shumica e të cilëve nuk e dinin se ishin shënjestruar.
Bilanci i operacionit “Endgame”
– 1 arrestim në Greqi (3 nëntor)
– Kontrolle në 11 lokacione në Greqi, Gjermani dhe Holandë
– Mbyllja ose ndërprerja e mbi 1,025 serverave në të gjithë botën
– Sekuestrimi i 20 domeneve interneti
Operacioni u koordinua nga Europol dhe Eurojust, me pjesëmarrjen e autoriteteve të sigurisë nga: Greqia, Australia, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Lituania, Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA.
Sotiraq Kolezi – i dyshuar për vjedhjen e mbi 100 mijë portofolave kripto
Sipas grupit hetimor, 38-vjeçari shqiptar kishte qasje ilegale në më shumë se 100,000 portofole kriptovalutash të viktimave. Vlera e përgjithshme e aseteve që ai dyshohet se ka kontrolluar mund të arrijë në miliona euro.
Hetimet po vijojnë, ndërsa Europol pritet të publikojë detaje të tjera mbi rrjetin e shpërbërë dhe bashkëpunëtorët potencialë.




