
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi këtë pasdite një takim me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, ku foli për prioritetet e buxhetit të vitit 2026 dhe rritjen e ndjeshme të mbështetjes për pensionistët.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se besimi i dhënë PS-së në zgjedhjet e 11 majit ka forcuar ndjenjën e përgjegjësisë për të qenë më afër qytetarëve dhe për të adresuar shqetësimet e tyre.
“Menjëherë pas zgjedhjeve, impakti që ka pasur te ne besimi që morëm nga qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, ka krijuar një ndjenjë shumë më të fortë detyrimi për të qenë sa më pranë njerëzve dhe për të bërë gjithçka që shqetësimet të dëgjohen si duhet e të adresohen sa më shpejt,” tha Rama.
Rritja e pensioneve dhe shpërndarja e bonuseve para vitit të ri
Kryeministri theksoi se pjesa më e madhe e buxhetit të ri do t’i dedikohet pensionistëve, duke e quajtur “pjesën e luanit” të fondeve të katër viteve të ardhshme.
“Pjesa e luanit në buxhetin e katër viteve të ardhshme është pjesa që më në fund i takon pensionistëve. Kam dëgjuar që po thuhet se nuk do japim bonusin e këtij viti, por e përsëris: të gjithë pensionistët do ta marrin bonusin që u është premtuar, përpara Vitit të Ri, sipas dy fashave që kemi sqaruar,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se pensioni urban do të arrijë në 40 mijë lekë brenda mandatit, duke theksuar se kjo rritje do të ndodhë vit pas viti, dhe se i njëjti ritëm do të ndiqet edhe për pensionet rurale.
“Të kërkosh pension më të lartë është legjitime, por duhet kuptuar se pensionet vijnë nga sigurimet shoqërore. Vetëm vitin e ardhshëm do të shpenzohen 1.7 miliardë euro shtesë për pensionistët,” shtoi ai.




