
Lindjet në Shqipëri vijojnë të ulen me ritme të shpejta. Sipas INSTAT, numri i lindjeve për tremujorin e tretë të këtij viti është 6 mijë 408, duke shënuar një rënie me 1.2%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024.
Në 9 muajt e parë të këtij viti në vendin tonë janë regjistruar 16 mijë 052 foshnje, nga 17 mijë 558 foshnje që janë regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe pse shtesa natyrore në tre muajt e fundit të këtij viti mbetet pozitive, për shkak të uljes së numrit të vdekjeve, lindjet në vendin tonë vijojnë të tkurren.
Në tremujorin e tretë 2025, tre qarqe të vendit regjistrojnë rritje të numrit të lindjeve, ndërsa nëntë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2024.
Qarku Tiranë paraqitet me numrin më të lartë të lindjeve, duke regjistruar 2 mijë 509 lindje, ndërsa qarku Gjirokastër paraqitet me numrin më të ulët, me 81 lindje.
Ulja e numrit të lindjeve po sjell një popullsi më të plakur dhe më pak të rinj për tregun e punës. Për këtë arsye po diskutohet rishikimi i mbështetjes për çiftet e reja dhe bonusin e bebes, për të krijuar më shumë mbështetje ekonomike.
Sipas specialistëve, duhet të ndiqen politikat europiane për mbështetjen financiare të fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare./ Tv Klan







