Partia Demokratike ka denoncuar sot një tjetër skandal në arsimin e lartë publik, duke akuzuar Universitetin e Sporteve të Tiranës për prodhim diplomash të pavlefshme.
Sipas Lili Sulës, drejtuese e Departamentit të Arsimit në PD, qindra studentë të Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit ndodhen sot në pamundësi për t’u punësuar, pasi diplomat e tyre nuk njihen për ushtrimin e profesionit.

Sipas Sulës, në Universitetin e Sporteve — që financohet nga taksat e qytetarëve — prej vitesh ofrohen programe studimi të cilat nuk kanë asnjë vlerë ligjore për tregun e punës.
Ajo shton se studentët, pas mundimeve disa vjeçare në auditorë dhe përballjes me tarifa të larta, në vend të një diplome të vlefshme mbajnë në dorë “një copë kartoni tërësisht të pavlerë”.

Sipas Lili Sulës, programi “Bachelor” në këtë fakultet është 95% i njëjtë me atë të Fizioterapisë, çka e bën të papërshtatshëm për t’u ofruar në një institucion sporti.
“Që programe të shkencave mjekësore të ofrohen në një universitet sporti, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë”, thuhet në deklaratën e saj.

Sula akuzon se Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit vijon të drejtohet nga Robert Çima, i denoncuar më parë për shpërdorim detyre, ndërsa rektori i Universitetit “në vend që të merrte masa ligjore, gënjeu publikun dhe vijon t’i paguajë plotësisht drejtuesit përgjegjës”.

Sipas saj, kjo situatë tregon degradimin e universiteteve publike dhe mënyrën se si licencohen dhe akreditohen programet e studimit në mënyrë selektive e klienteliste.
“Si ka mundësi që Ministria e Arsimit, që ka miratuar hapjen e këtij fakulteti, nuk është në dijeni që programet i përkasin fushave të shkencave mjekësore dhe jo atyre të sportit?”, pyet Sula.

Ajo thekson se specialistët dhe teknikët e fushës së mjekësisë formohen në institucione të dedikuara për shkencat mjekësore, jo në fakultete të edukimit fizik dhe sportit.
Kush mban përgjegjësi për këtë shkelje të ligjit në hapjen e Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit dhe të programeve të tij, është një pyetje që, sipas Sulës, ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit.

Në fund të deklaratës, Partia Demokratike i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar shpërdorimet në Universitetin e Sporteve dhe për të garantuar të drejtat e studentëve.
Sipas PD-së, Ministria duhet:

  • të ndalojë menjëherë vijimin e abuzimeve dhe të marrë masa ndaj drejtuesve përgjegjës
  • të verifikojë organizimin dhe funksionimin akademik të institucionit
  • të gjejë zgjidhje ligjore që diplomat e lëshuara deri më tani të njihen dhe të jenë të vlefshme

Sipas Lili Sulës, qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk mund të qëndrojnë spektatore “ndërsa një universitet publik shndërrohet në fabrikë diplomash të pavlefshme”.
“Kjo është tradhti ndaj rinisë shqiptare”, përfundon ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu