
Pas reagimit të Komisioneres për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Marta Kos, e cila e cilësoi si të papranueshme deklaratën e tij për ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë shpjegime për fjalët e tij në një deklaratë për mediat.
I pyetur nëse do të kërkonte falje, Berisha tha se nuk kishte asnjë qëllim fyerjeje dhe se deklarata e tij ishte bazuar në një deklarim publik të vetë ambasadorit Gonzato mbi jetën e tij personale.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato ka bërë një deklaratë publike se ‘kam qenë i martuar, kam një djalë 31 vjeç dhe tani jetoj me një partner burrë’, dhe unë e kam përmendur këtë pa asnjë intension fyerjeje, nuk e di se ku qëndron fyerja,” – tha Berisha.
Ai shtoi se ka qenë vetë autori i ligjit që i dha fund çdo forme diskriminimi në Shqipëri dhe se nuk kishte bërë asnjë hetim në jetën personale të askujt.
“Nëse ai e konsideron fyerje, sigurisht që do ta rikonsideroj qëndrimin tim dhe i kërkoj falje. Por deklarata ime nuk kishte qëllim fyes, as nuk përbën fyerje,” – theksoi Berisha.
Deklarata e tij erdhi pas kritikave të forta nga zyrtarë të Bashkimit Europian, mes tyre edhe Komisionerja Marta Kos, e cila kishte kujtuar se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë e ligjit të BE-së dhe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.



